UEFA në Tiranë, Surkis: Ndeshja me kryeministrin përfundoi me penallti

01/02/2018 13:33

Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Grigori Surkis ishte sot në Tiranë për disa takime, ku më i gjati ishte ai me kryeministrin Edi Rama, për të cilin vetë zyrtari i lartë i UEFA-s u shpreh me shaka kur tha se përfundoi me kohë shtesë dhe me penallti.

Ka mbërritur në Tiranë zv/Presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis i cili në axhendën e tij ka patur takime me zyrtarë të lartë të vendit, duke filluar nga ai me kryeministrin e vendit, Edi Rama, që në orën 9 të mëngjesit. Zgjatja e takimit për më shumë se një orë me kryeministrin i ka prishur axhendën zv/Presidentit të UEFA-s, duke i humbur takimin e dytë, atë me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Për këtë arsye ai i është drejtuar më pas zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit për të takuar Presidentin e saj, Armand Duka. Takimi me Dukën ishte shumë më i shkurtër sesa ai me kryeministrin e vendit, të cilin vetë zv/Presidenti i UEFA-s e konsideroi si një ndeshje që shkoi me shtesë, madje edhe me penallti.

“Në radhë të parë dua të them se delegacioni ynë erdhi në Shqipëri për të dhënë instruksionet e Presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Më herët, takuam kryeministrin e vendit, një ndeshje prej 90 minutash, por që shkoi me kohë shtesë dhe penallti. E dëgjuam njëri-tjetrin dhe kuptuam pozicionet e secilës palë. Qëllimi i vizitës tonë lidhej me shqetësimin, pas sinjalizimeve që kemi marrë së fundmi rreth tentativave të palëve të treta për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Synimi ynë është një dhe i vetëm: të nënvijëzojmë se duhen respektuar principet e UEFA-s, principi i demokracisë, i transparencës dhe i zgjedhjeve të lira. Principe të cilat nuk lejojnë ndërhyrjen e palëve të treta në procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit”, deklaroi Surkis.

Sa i përket zgjedhjeve për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit që do të zhvillohen më 7 shkurt, procesi do të monitorohet nga 4 delegatë të UEFA-s dhe FIFA-s.

Top Channel