Pamjet e reja satelitore tregojnë se si është zvogëluar rezervuari më i madh i ujit në Kejp Taun, ndërsa qyteti afrikano-jugor i afrohet ditës kur do të mbesë plotësisht pa ujë.

Thatësira, rritja e popullsisë dhe ndryshimet klimaterike kanë kontribuuar në krizën e ujit, duke bërë që shumë shpejt Kejp Tauni do të jetë qyteti i parë i madh në botë që do të mbesë thatë. Autoritetet afrikano-jugore thonë se rubinetat e qytetit nuk do të nxjerrin më ujë më 12 prill të këtij viti dhe do të lënë pa burimin e jetës 4 milionë banorët e qytetit.

Në pamjet e fundit satelitore shfaqet diga Theewaterskloof, rezervuari më i madh i ujit për Kejp Taunin që është tharë përtej nivelit të rrezikut. Javën e shkuar, sasia e ujit në rezervuar ishte 14%, ndërsa këtë javë ka zbritur në 13%. Pamjet satelitore, për të cilat kontribuoi edhe NASA, tregojnë jo vetëm reduktimin e rezervuarit, por edhe efektin që thatësira ka pasur mbi bimësinë dhe liqenet në zonë.

Që prej kësaj jave, banorët e Kejp Taunit do të kenë mundësi të përdorin vetëm 50 litra ujë në ditë për të zgjatur sa më shumë grimcat e rezervave të mbetura. Ndërsa banorët fajësojnë autoritetet për menaxhimin e keq të situatës, askush nuk thotë se cilat janë planet kur nga rubinetët të mos dalë më ujë.

Top Channel