Ecclestone, kundër “Liberty”: Largimi i bukurosheve me çadra, puritanizëm

01/02/2018 13:29

Një ditë pas njoftimit të pronarëve të rinj të Formulës 1 për heqjen e bukurosheve me minifunde dhe taka të larta që shoqëronin pilotët përpara nisjes së garave, ka reaguar ish-padroni i F1-shit, Bernie Ecclestone.

“Çfarë të keqe kishte te vajzat me çadra? Më duket thjesht një vendim puritanizmi”. Me të tillë reagim, manjati britanik Ecclestone ka zhvlerësuar heqjen nga “Liberty Media” të atyre që njiheshin si “grid girls” përpara Çmimeve të Mëdha të Formulës 1.

Sipas drejtorit komercial, Sean Bratches, ato “ishin në kontrast me normat e shoqërisë moderne. Nuk e shohim përdorimin e tyre, që zgjat prej dekadash, si të duhurën apo të përshtatshme për Formulën 1 dhe fansat e saj”.

Megjithatë, Ecclestone nuk është i të njëjtit mendim, e gjatë një interviste për “The Sun” ka shprehur kundërshtinë e tij.

“Vajzat ishin pjesë e spektaklit, e sigurisht që nuk duhet të mungojnë. Ato pëlqehen nga pilotët, audienca dhe askush nuk ka qenë kundër tyre. Nuk e kuptoj sesi një vajzë e bukur përpara një piloti, me numrin e tij në Formula 1, mund të rezultojë si ofensive ndaj dikujt. Më duket diçka puritane”.

Top Channel