Fund spekulimeve, Ozil rinovon për 3 vite e gjysmë me Arsenalin

31/01/2018 13:43

Ardhja e Pierre-Emerick Aubameyang nga Dortmundi nuk është i vetmi lajm i mirë për Arsenalin në këtë ditë të fundit të merkatos dimërore të futbollit.

Mesut Ozil u ka dhënë fund spekulimeve të muajve të fundit mbi të ardhmen e tij, duke nënshkruar një kontratë të re prej 3 vitesh e gjysmë, për të qëndruar tek Arsenali deri në verën e vitit 2021.

Mesfushori gjerman 29-vjeçar bëhet kështu lojtari më i paguar në historinë e klubit londinez, duke fituar rreth 350 mijë paund bruto, në një marrëveshje të arritur mëngjesin e kësaj të mërkure.

Ozil rrezikonte të bëhej lojtar i lirë në fund të sezonit dhe mund të niste tratativat me cilindo klub të huaj nga 1 janari i këtij viti, por Arsenali arriti t’i mbyllte me sukses negociatat afatgjata.

Marrëveshja, sipas medieve britanike është arritur fundjavën e kaluar dhe lojtari i përfaqësueses së Gjermanisë nënshkroi sot, në qendrën stërvitore “Colney” të Londrës.

Ozil, i cili erdhi në verën e vitit 2013 nga Reali i Madridit për një shifër rekord të “topçinjve” asokohe prej 42.4 mln paund, pritet ta zgjasë karrierën e tij në Londër në 8 vite, deri në moshën 32-vjeçare.

Prej ardhjes së tij tek Arsenali, gjermani ka shënuar 36 gola në 182 ndeshje në total, një nga më krijuesit e rasteve për gola në futbollin gjerman.

Top Channel