Talenti portugez që nuk po “piqet” kurrë dhe gafa e “shekullit”

30/01/2018 16:54

“Rrëfenja” më e bujshme në futbollin europian nis nga Portugalia, e përfundon në Premier Leaguen angleze, ose më saktë në Uells, aty ku një “djalosh i artë” duket se po kalon një moment të çuditshëm papjekurie.

Një vit e gjysmë më parë, Benfika do të merrte një “lumë” ofertash nga disa prej klubeve më të mëdha europiane, për një djalosh që në pamjen e jashtme ngjasonte me Edgar Davids. Bayern Munchen do të investonte 35 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij ende pa filluar Euro 2016.

Renato Sanchez e fitoi Europianin e zhvilluar në Francë, duke sinjalizuar atë që u konsiderua si “shkëndija” e parë e një karriere super të madhe. Nga 30 qershori i atij viti, dita kur ka shënuar golin e tij të fundit, diçka nuk ka shkuar sipas parashikimeve. Ancelotti u përpoq ta hidhte në fushë si për të treguar se mund të maturohej shpejt, por pa sukses.

Portugezi u huazua te Swansea në Premier League, e deri më tani nuk ka lënë asnjë gjurmë… Në fakt një të tillë po. Ditën kur doli në qendër të vëmendjes së medieve sportive për një zëvendësim tragjiko-komik. Trajneri e nxori, sepse pa atë që mund të jetë “gafa e shekullit”. Lojtari i pasoi topin një prej tabelave publicitare, sikur të ishte një prej shokëve të tij të skuadrës.

Ai është vetëm 20 vjeç dhe ka kohë të rritet, por ndërkohë thuajse dy vite i ka çuar dëm.

Top Channel