“Sanremo”, Ermal Meta do të interpretojë në duet me Fabrizio Moron

30/01/2018 09:20

Një tjetër lajm i mirë vjen për Shqipërinë dhe praninë e saj në “Sanremo” edhe për këtë vit. Sërish në shkurt të këtij viti do të jetë shqiptari Ermal Meta, ai që do të ngjitet në skenën e festivalit më të madh të muzikës italiane, duke na bërë të ndihemi edhe njëherë krenarë, ashtu sikurse një vit më parë.

Meta nuk do të jetë vetëm këtë herë në garë. Në festivalin që do të mbahet në qytetin e luleve, nga data 6-10 shkurt, Ermal Meta do të sjellë një duet, së bashku me këngëtarin italian Fabrizio Moro.

Artistët kanë bërë publike vetëm pak sekonda nga videoja e këngës së tyre konkurruese, “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë), në qendër të së ciles shfaqet një qytet i shkatërruar plotësisht.

Videoja sjell rrugët e këtij qyteti me shtëpi të rrënuara nga bombardimet dhe luftimet e vazhdueshme, me imazhet mbresëlënëse që lënë të kuptohet fuqinë që muzika ka në luftën ndaj frikës dhe terrorizmit.

Dy këngëtarët rikthehen në Teatrin “Ariston”, një vit pas sukseseve respektive individuale, në skenën e të cilit interpretuan këngët “Vietato Morire” dhe “Portami Via”.

Një vit më parë, shqiptari Ermal Meta u kurorëzua në “Sanremo” me çmim në kategorinë e riinterpretimeve të këngëve të njohura të së kaluarës, ku kantautori me origjinë shqiptare la pas 15 zëra të njohur të muzikës së lehtë italiane.

Ndërkohë, Ermal Meta ka bërë të ditur se do të mbajë një koncert “live” në Milano, më 28 prill, për të prezantuar albumin e tij të ri me titull “Non abbiamo armi” (Nuk kemi armë), gjithnjë duke sjellë në vëmendje të publikut çështje të ndjeshme e aktuale.

Top Channel