Kuriozitete nga futbolli europian

30/01/2018 17:00

Në Gjermani kanë “luajtur” me shifrat. Kjo sepse këtë fundjavë, në Bundesliga pati një sfidë brezash.

Plot 42 vite diferencë kishte mes Heynckes dhe Nagelsmann, trajnerët respektivë të Bayern Munchen dhe Hoffenheim. E thënë ndryshe, përballë njëri-tjetrit ishin tekniku më i vjetër me atë më të ri të kampionatit gjerman.

Ndërkohë ka shkuar në 12, numri i sezoneve radhazi të Cristiano Ronaldos me të paktën 20 gola të shënuar. Gjithçka nis me 3 të fundit me Manchester United, e plot 9 që ka kaluar në Madrid me Realin. Pikërisht në “Mestalla” të Valencias, me dy 11-metërshat e kthyer në gola, CR7 shënoi golin e 19 dhe të 20 për këtë sezon.

Plot 5 vite kanë kaluar nga golat identikë të Pirlos dhe De Bruyne. Një ekzekutim perfekt i goditjes së dënimit duke e kaluar topin nën këmbët e “murit” mbrojtës.

Belgu i Manchester Cityt shënoi ndaj Kardifit, ndërsa ish-fantazisti i Italisë ndaj Sienës, në vitin 2012, me fanellën e Juventusit.

Një ngjarje jashtë futbollit, por që ka për protagonist një trajner futbolli. Kjo është çudia që ka shkaktuar një event i mbajtur në Poloni.

Atje zhvillohej Kupa e Botës për kërcimin me ski. Mes flamujve bardhekuq për këtë event, për motive ende misterioze u pa edhe një i tillë kundër trajnerit francez të Arsenalit, Arsene Wenger.

Top Channel