Bardhezinjtë e massimiliano Allegrit kaluan me sukses sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, teksa mposhtën Atalantën në Bergamo me rezultatin 0-1.

Me këtë fitore, skuadra e Juventusit hedh një hap mjaft të sigurt drejt kualifikimit në finalen e trofeut më pak të rëndësishëm në Itali.

Rezultati u vendos nga një gol mjaft i bukur, shënuar nga Gonzalo Higuain që në fillim të ndeshjes. Argjentinasi mori një top në të djathtë të sulmit dhe pasi kaloi 2 mbrojtës vendas, mposhti edhe portierin shqiptar Berisha dhe kaloi bardhezinjtë në avantazh.

Atalanta pati një mundësi mjaft të mirë për të barazuar, teksa pak para fundit të 45-minutëshit të parë, arbitri kryesor, i ndihmuar edhe nga VAR, akordoi një 11-metërsh. Ekzekutimin e penalltisë e mori përsipër Alejandro Gomez, por Buffon bëri mrekullinë, duke zotëruar goditjen e argjentinasit.

Në mbrëmjen e të mërkurës do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja e parë e çiftit Milan-Lazio, në ‘San Siro’.

Top Channel