Hazard, Chelsea do të refuzojë “çdo ofertë” nga City

30/01/2018 12:23

Chelsea do të refuzojë çfarëdolloj oferte nga Manchester City për talentin belg Eden Hazard, edhe nëse kryesuesit e Premier League do të thyenin rekordin botëror të 200 milionë paundëve për të.

Gjatë fundjavës qarkulluan zëra se City, pasi humbi në garën për të siguruar shërbimet e Alexis Sanchez, është i interesuar për Hazardin e duket se është gati të sfidojë Realin e Madridit në merkaton e verës, nëse belgu nuk do të rinovojë kontratën e tij me Chelsean.

Por, nëse “blutë” e Londrës do të rezultonin të pafuqishëm për të ndalur largimin e Hazard te Reali i Madridit, gjithnjë pas një oferte “të çmendur”, ata nuk do të lejonin kurrsesi që belgu t’u bashkohej rivalëve në Angli për çfarëdolloj shume.

Hazard dëshiron të “peshojë” ofertat e mundshme, por përpara faktit që City ende nuk e ka bërë një të tillë dhe për më tepër qëndrimit të Chelseat për ta penguar atë drejt “Citizens”, belgu mbetet vetëm me një mundësi për të lëvizur: në pritje të ofertës së Realit.

Reali e dëshiron prej kohësh, e duke qenë se mund të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër gjatë verës, belgu i Chelseat shihet si zëvendësuesi i duhur në rastin e largimit të Cristiano Ronaldos. Por tentativa e Realit duket se varet edhe nëse qëndron apo jo ende në detyrë trajneri Zidane, pasi është ky i fundit që e ka kërkuar me ngulm.

Top Channel