Manchester City kishte bërë të ditur se nuk do të finalizonte asnjë lëvizje në merkaton e janarit, por kur iu prezantua mundësia për të marrë një mbrojtës cilësor edhe pse me kosto të ekzagjeruar, vendosi të veprojë shpejt dhe në hije.

“Citizens” kanë thyer rekordin e transferimeve të klubit pasi finalizuan një marrëveshje prej 65 milionë eurosh me futbollistin Aimerik Laporte që vjen nga Bilbao.

23-vjeçari francez firmosi një kontratë që do ta lidhë me klubin e “Etihad Stadium” për 5 sezonet e ardhshme. Kryesuesit e Premier League-s paguan të gjithë klauzolën që lidhte qendërmbrojtësin me ekipin bask.

“Manchester City është një klub me ambicie dhe një nga më të mirët në Europë. Pres të punoj me trajnerin Guardiola për të ndihmuar klubin të regjistrojë suksese. City ka treguar shumë besim te mua dhe do t’ia shpërblej”, tha Laporte që do të mbajë fanelën me numrin 14.

Mbrojtësi transalpin kishte si pjesë të prezantimit edhe një tur në stadiumin “Etihad”, së bashku me partneren e tij Sara Botejo.

Laport që ende duhet të debutojë me kombëtaren franceze, është blerja më e shtrenjtë në histori për një mbrojtës, dhe renditet pas Van Dejk që kaloi te Liverpuli.

Top Channel