Alonso, edhe në 24 Orët e Lë Manshit

30/01/2018 14:21

Pasurohet axhenda e aktiviteteve të Fernando Alonsos. Piloti spanjoll i McLaren, pasi mbylli aventurën e tij në garën e Dajtonës, konfirmoi pjesëmarrjen në një tjetër garë që është jashtë Botërorit të Formula 1, sigurisht pa hequr dorë nga ky i fundit.

35-vjeçari do të garojë edhe në garën 24 Orët e Lë Manshit dhe në Botërorin Endure, ku bën pjesë edhe ky eveniment i konsideruar si më prestigjiozi në botën e automobilizmit. McLaren ka konfirmuar këtë lajm, duke theksuar se Alonso do të jetë pjesë e skuadrës Toyota Gazoo Racing në këtë garë dhe në të gjithë Botërorin Endure, ku do të mungojë vetëm në ndalesën e Fixhit, pasi përkon në të njëjtën ditë me Çmimin e Madh të Austin, në Formula 1.

“Nuk është sekret dëshira ime për të fituar Kurorën e Trefishtë: garën e Monakos në F1, Indy500 dhe 24 Orë të Lë Manshit. Në Indy tentova vitin e kaluar, por nuk ia dola mbanë. Këtë vit, McLaren më dha mundësinë për të tentuar 24 Orët e Lë Manshit. Do të jetë një sfidë e madhe dhe shumë gjëra mund të mos funksionojnë, por unë jam gati dhe në ankth për të zhvilluar këtë garë. Gjithsesi, kjo nuk do të më shpërqendrojë nga objektivi kryesor, që mbetet të qënit kompetitiv në çdo garë të Formula 1”, tha Alonso.

Deri tani, i vetmi që ka mundur të fitojë të famshmen “Kurora e Trefishtë” ka qenë Graham Hill në periudhën 1966-1972. Gara e 24 Orë të Lë Manshit është e programuar të mbahet në 16-17 qershor dhe është mes garës së Monakos dhe Çmimit të Madh të Francës në Formula 1.

Top Channel