Real Madrid, serish në shitje emrin e stadiumit

29/01/2018 21:37

Real Madrid ka humbur një marrëveshje të majme financiare për të drejtën e emrit të stadiumit, e cila kishte një vlerë të përafërt me 400 milionë euro.

E përditshmja spanjolle “El Economista” nënvizoi dështimin e bujshëm të marrëveshjes që duhej të garantonte superioritetin merenges në merkato dhe tani kampionët e botës duhet të shesin lojtarë të rëndësishëm në verë.

Javën e kaluar, formacioni galaktik mori një liçencë për të zhvilluar projektin e stadiumit “Santiago Bernabeu”, që përfshin dhe një çati lëvizëse dhe shumë hapësira të tjera multifunksionale. Por kur pritej që marrëveshja më e madhe në historinë e futbollit për emrin e një stadiumi, të formalizohej mes Realit dhe gjigantit të naftës Cepsa, gjithçka ka dështuar.

Dy palët kishin arritur fillimisht një akord në bazën e 400 milionë eurove. Por fondi i investimeve Mubadala me bazë në Abu Dhabi që ka mazhorancën e aksioneve te kompania CEPSA, është tërhequr për shkak se projekti ka pësuar ndryshime, është zvogëluar dhe ka vonesa të mëdha në afatet e realizimit.

Reali i Madridit tani po kërkon sponsorë të rinj dhe shumëkush mund të mendojë se skuadra më e famshme e globit e ka totalisht të lehtë këtë.

Por përballë kërkesave të tregut dhe çmimeve të lojtarëve që kanë arritur në nivele alarmante, edhe formacioni merenges mund të dorëzohet ndaj milionave, për të shitur yje të tillë si Ronaldo dhe Bejl.

Në raportin e fundit të “Deloitte” dhe “Touche”, Real Madrid ishte klubi i dytë në botë në ranglistën e fitimeve, por mbetet për t’u parë nëse sponsori i ri i stadiumit, do të vijë para kësaj vere.

Top Channel