Pique rinovon: Isha pranë braktisjes së futbollit

29/01/2018 21:26

Mbrojtësi spanjoll Gerard Pique kompletoi këtë të hënë edhe zyrtarisht rinovimin e kontratës me Barcelonën. Shtatlarti i prapavijës së skuadrës katalanase e zgjati deri në vitin 2022 akordin me klubin në të cilin është rritur, dhe nëse gjërat nuk do të ndryshojnë e merkatoja nuk do ta joshë, do të plotësojë 14 vjet me të njëjtën fanellë.

Edhe pse me pyetje disi të kontrolluara, mbrojtësi që është përzierë jo pak edhe në diskutime politike në Spanjë, ofroi tituj interesantë.

“Nëse nuk do të vinte propozimi për rinovimin dhe unë do mbërrija në fundin e kontratës, do të kisha braktisur futbollin. Nuk kam kërkuar kurrë skuadra të tjera dhe jam te Barça sepse më pëlqen të luaj këtu. E kam thënë dhe e ripërsëris se pas botërorit do largohem nga kombëtarja. Spanja më ka dhënë shumë. Ndonjëherë ka shkuar shumë mirë dhe ndonjëherë jo, por ishte eksperiencë fantastike”, u shpreh futbollisti.

Gerard Pique është denoncuar në komisionin anti-dhunë në futbollin spanjoll, pasi është akuzuar se flirton me ksenofobinë, për shkak të disa frazave fyese ndaj Espanjol. Vetëm një pyetje me temë politike gjeti përgjigjen e futbollistit, atë mbi donacionin 3.5 milionë Dollarë të Barcelonës në procesin për pavarësinë e Katalonjës.

“Nuk di asgjë për këtë, por mund të them që para zgjedhjeve doja vetëm të respektohej rezultati. Aktualisht ky rezultat nuk është respektuar. Politikanët nuk thonë asnjëherë atë që mendojnë dhe nuk e shoh veten time në të ardhmen në këtë fushë”, tha Pique.

Top Channel