Federata Italiane e Futbollit ende pa President, dështojnë zgjedhjet

29/01/2018 22:24

Asambleja zgjedhore e Federatës Italiane të Futbollit u përfshi nga një situatë sureale që nuk nxori dot një president të ri të FIGC.

3 kandidatë ishin në garë për poltronën më të rëndësishme të futbollit italian, por edhe pse një prej tyre u eliminua dhe shkoi gjithçka në balotazh, delegatët nuk mundën dot të zgjedhin një fitues në një zhvillim të paprecedent.

Deri në votimin e katërt për FIGC, asnjë prej 3 kandidatëve nuk kishte marrë 50% +1 të votave që duheshin për president. Kështu u vendos eliminimi i Damiano Tomazit dhe balotazhi mes dy kandidatëve më të votuar, Kozimo Sibilia dhe Gabriele Gravina.

Për të patur një fitues real, kandidatët duhet të fitonin maxhorancën absolute të votave të vlefshme dhe në këtë pikë topi kaloi tek shoqata e futbollistëve.

Në orën e fundit dështoi edhe hipoteza e një pakti mes Sibilia dhe Gravina, pasi futbollistët votuan për një skedë të bardhë dhe pa emra. 275 delegatët që u mblodhën kështu në asamblenë e FIGC nuk zgjodhën dot një president.

Nuk mjaftuan për këtë, 3 votime dhe një balotazh. Kështu brenda 48 orëve, KONI, Komiteti Olimpik Italian do të emërojë një president me rolin e komisarit, dhe të dhënat e fundit çojnë drejt një emri, Giovanni Malago.

Top Channel