Barcelona e këtij sezoni është një skuadër me të vërtetë e frikshme. Edhe pse vuajti ndaj Alaves në “Camp Nou”, Barça doli sërish triumfuese me një perlë të Lionel Messit.

Ishte dita e debutimit të brazilianit Coutinho në La Liga, por 66 minutat e lojës për të nuk i dhuruan kënaqësinë e golit, madje Barcelona ishte në vështirësi.

Alaves befasoi në pjesën e parë, duke i mbyllur 45 minutat e para në avantazhin e një goli të shënuar nga Guidetti. Por në pjesën e dytë, Barcelona arriti të përmbyste shifrat. Fillimisht, në minutën e 72 ishte Suarez që barazoi shifrat, ndërsa avantazhi erdhi më pas nga i përhershmi Lionel Messi, i cili me magjinë e radhës i dha 3 pikët skuadrës së tij.

Gjashtë minuta para fundit, Barcelona fitoi një goditje dënimi dhe argjentinasi nuk i la asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar, duke e dërguar topin në rrjetë.

Kjo ishte fitorja e 18 në 21 ndeshje për katalanasit, të cilët mbajnë vendin e parë me 11 pikë diferencë nga Atletico e Madridit.

Top Channel