‘Zien’ merkatoja te Interi, gati sulmi final për Pastoren

27/01/2018 00:33

Walter Sabatini, Piero Ausilio dhe Luciano Spalletti kanë zhvilluar një takim në zyrat e Interit, ku kanë vënë pikat mbi i, për detajet e fundit të merkatos, që është vetëm 4 ditë larg finishit.

Trajneri zikaltër ka kërkuar ndërhyrje në mesin e fushës, teksa përveç Ramirezit, kërkohet edhe një sforcim i fundit për Pastoren. Interi ka një akord me lojtarin, që ka pranuar të ulë rrogën, por nuk po gjen marrëveshjen me PSG-në, që kërkon pagesë të menjëhershme të kartonit.

Menaxheri i argjentinasit pritet të udhëtojë sot në Paris, ku do të diskutojë sërish me drejtuesit e PSG-së, ndërsa vendimtare duket se do të jetë dëshira e vetë Pastores, që kërkon rikthimin në Serinë A.

Gjithashtu, në orët e fundit në shtëpinë zikaltër kanë mbërritur edhe 2 oferta shumë interesante për Brozoviçin dhe Nagatomon. Ky i fundit kërkohet nga spanjollët e Betisit, ndërsa për mesfushorin kroat është interesuar Evertoni, që ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 16 milionë eurosh.

Mësohet se Spalletti ka dhënë miratimin e tij për largimin e dy futbollistëve, por me kushtin që do t’i vihen në dispozicion edhe 2 mesfushorë të tjerë.

Sa i përket Sturridge, ka një marrëveshje me Liverpoolin, por që do të vihet në zbatim vetëm në rast shitjeje të italo-brazilianit Eder.

Top Channel