Kakà “tradhton” Realin, vesh bluzen e…Barcelonës

27/01/2018 18:44

Ish-ylli i Milanit dhe Realit të Madridit, i fundit që ka fituar trofeun e “Topit të Artë” me fanellën kuqezi përpara se të niste dekada e dominimit Messi-Cristiano Ronaldo, njoftoi tërheqjen nga futbolli vetëm pak javë më parë.

Por Ricardo Kakà, tashmë 35 vjeç, do të rikthehet sërish në një fushë futbolli, të paktën edhe për një ndeshje të fundit.

Ish-futbollisti brazilian, që duket se po tenton një post drejtues te Milani, ka vendosur ndërkohë të marrë pjesë në një shfaqje të quajtur “Noche Amarilla 2018”, gjatë së cilës do të prezantohet për herë të parë Barcelona SC Guayaquil në stadiumin “Monumental Banco Pichincha”.

Skuadra nga Ekuadori, që nuk ka të ngjashëm vetëm emrin me katalanasit e La Ligës, por edhe stemën e skuadrës (edhe pse jo identike), do të sfidojë në një takim miqësor Sport Boys, një ekip nga Peruja, ndërsa ish-fituesi i “Topit të Artë” do të veshë fanellën me numrin 93 të ekipit nga Guayaquilit.

Top Channel