Shkollë për arbitra, të rinjtë që përgatiten për stadiumet

26/01/2018 15:02

Si një nga figurat më të kontestueshme të lojës së futbollit, abitrat po ndihmohen vitet e fundit edhe nga teknologjia, për të qenë më afër korrektes së vendimeve të tyre, edhe pse jo gjithmonë ia dalin.

Edhe në vendin tonë nuk bëhet përjashtim, madje mbeten në qendër të paragjykimeve për vendimet e tyre të gabuara, me apo pa dashje.

Për këtë arsye, Akademia e Arbitrave, e cila nisi programin e saj në shtator të vitit të shkuar, po përpiqet të përgatisë brezat e ardhshëm në formën e një “vettingu” edhe në futboll.

“Do tëu duhet pak kohë, sigurisht, për të arritur nivelet e larta, megjithatë mund të themi se po përgatiten për një lloj vettingu të së ardhmes”, tha Sokol Jareci, shef i Sektorit të Arbitrave në FSHF.

Rreth 70 të rinj të moshës 14-22 vjeç janë bërë pjesë e kësaj akademie, e sipas Jarecit i kanë të gjitha mundësitë për të mësuar atë çfarë iu duhet, shumë ndryshe nga koha kur ai vet ishte nxënës i Kolegjumit të Tiranës për t’u bërë më pas arbitër.

“Unë kam kam filluar si pjesë e Kolegjumit të Tiranës në Pallatin e Pionierëve, ku lektor kishim Hiqmet Kukën (ish-arbitër i njohur), por në atë kohë mungonte teknologjia. Tani, këto breza mund të përvetësojnë shumë gjëra në disa muaj, ndërkohë që neve na u deshën vite”, tha më tej Sokol Jareci.

Top Channel