Presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur me nota optimizmi për shortin e Ligës së Kombeve, duke shprehur qartë synimin që kombëtarja do të marrë vendin e parë në grup.

“Në grupin C janë të gjitha skuadra të forta. Do dëshiroja të kishim një grup me 4 skuadra. Skocia nuk më pëlqeu shumë, distanca është e madhe, futbollistët lodhen nga udhëtimet, por gjithësesi e thashë është një aktivitet i bukur dhe një garë e bukur, e padyshim që pres që ne të jemi të parët. Me dy kundërshtarë është akoma më e fortë. Nuk janë të sigurta fitoret. Secila prej skuadrave mund të renditet e para, por unë uroj të jemi ne.

Presidenti Duka tha se po punohet së bashku me trajneri Panucci për gjetjen e miqësoreve të tjera në muajin qershor, që do të çonin në 3 numrin e miqësoreve përpara fillimit të aktivitetit.

“Rastësisht ndeshja e Norvegjisë do ti shërbejë trajnerit, pasi është skuadër e përafërt me Skocinë. Në qershor do të organizojmë dy ndeshje miqësore, me kundërshtarë të përafërt me ato që kemi në grup dhe shpresojmë në shtator të jemi me të gjithë motorët ndezur për të filluar aktivitetin”, tha Duka.

Ndërkohë presidenti Duka ka përshëndetur edhe kolegët e Kosovës për shortin e tyre. “Për mua Kosova pati një short të mirë. Dhe Kosova i ka të gjitha shanset të jeta e parë e grupit”, u shpreh Duka.

Top Channel