Reforma e ujit, Gjiknuri: Shkëmbim të dhënash me tatimet për debitorët

23/01/2018 12:33

Nga Elbasani ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri i bëri të ditur se aksioni i ujit do të nisë nga bizneset, ku do të ketë shkëmbime të dhënash me tatimet për konsumatorët debitor të ujit.

“Duhet ti bëj edhe një herë thirrje qytetarëve të përfitojnë nga këto ditë. Fokusi kryesor në fillim do të jetë tek bizneset, po evidentohen dhe po bëhen edhe shkëmbime të dhënash me organet tatimore dhe me strukturat e tjera që kanë të dhëna nga bizneset për të parë konsumatorët e mëdhenj të ujit të cilët fatkeqësisht janë debitorë apo shpërdorues. Kush shpërdoron ujin dhe lidhet në mënyrë të paligjshme do të ndëshkohet ligjërisht. Debitorëve do t’ju ndërpritet furnizimi dhe cdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet pastaj me masat penale. Kështu që në fillim do të fillohet me bizneset, por nga kjo periudhë duhet të përfitojnë të gjithë, edhe qytetarët në mënyrë që gjithçka që duhet të formalizohet të formalizohet në këtë kohë”, nënvizoi Gjiknuri.

Ndërkaq, ministri Gjiknuri vuri në dukje rëndësinë e këtij investimi për qytetin e Elbasanit por u ndal më tej tek reforma e ujit.

“Uji ka qënë një mall që fatkeqësisht është shpërdoruar në Shqipëri. Që qytetarët shqiptarë të kenë më shumë investime në ujësjellës- kanalizime, patjetër që duhet të kenë një disiplinë shumë më të fortë financiare në sektorin e ujit, ashtu siç bëmë edhe me energjinë elektrike. Shenjat e para janë premtuese, janë shumë të mira”, theksoi ministri Gjiknuri.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga Kryebashkiaku Qazim Sejdini inspektuan punimet që po kryhen për rikonstruksionin e ujësjellësit të lagjeve “28 Nëntori” dhe “Skëndërbeu” në qytetin e Elbasanit.

Ky projekt investimi në vlerën 457,524,645 lekë parashikon zëvendësimin e të gjithë linjave kryesore të shëprndarjes, ndërtimin e 430 pusetave, kasetave individuale dhe kolektive të matësave të ujit në të cilën do të instalohen 1575 matësa për çdo abonent familjar.

Zbatimi i këtij projekti do të eleminojë humbjet e ujit në këtë zonë si dhe do të sigurojë furnizim me ujë pa ndërprerje për 24 orë. Deri më tani janë realizuar 25% e punimeve që përfshin 9 km linjë kryesore të përfunduar me gjithë vendosjen e tubave.

Top Channel