Drejtuesi i ri i GKA vjen nga Kosova, tregon vizionin e tij

23/01/2018 19:38

Erzen Shkololli do të jetë drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve, pas përfundimit të mandatit të Artan Shabanit. Më herët ai njihej si drejtues për disa vite i Galerisë Kombëtare të Arteve në Kosovë, si kurator i ekspozitës “Dokumente 14”, apo si një ndër emrat më të rëndësishëm në artin bashkëkohor në rajon.

Shkololli nuk pranoi pyetje nga gazetarët, me arsyetimin se i duhet më shumë kohë për të njohur institucionin e për të qenë më i qartë në atë që do të sjellë në Galeri.

“Vizioni im për të ardhmen e Galerisë Kombëtare do të jetë të shtyj skenën që të ketë hov në skenën ndërkombëtare, por gjithmonë pa i harruar talentet vendase”, tha Erzen Shkololli, drejtor i GKA-së.

Prezantimi i Shkolollit u bë nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila e lidhi vështirësinë e punës së drejtorit të sapoemëruar edhe me faktin që Galeria nuk i është nënshtruar rikostruktimit.

“Konsultimet mes nesh kanë filluar për këtë gjë, për të shkuar drejt një konkursi ndërkombëtar për një projekt të ri të rehabilitimit fizik të Galerisë Kombëtare të Arteve”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

Pritet me kuriozitet sesi drejtuesi i ri do të punojë me pjesën muzeale tradicionale të Galerisë, duke qenë se deri më sot ai ka vepruar në domenin e artit bashkëkohor.

Top Channel