Gjelbërimi i Tiranës. Janë mbjellë 82 mijë pemë të reja

23/01/2018 12:06
Foto arkiv

82 mijë pemë të reja janë mbjellë deri tani në Tiranë, ndërkohë që mbeten edhe 18 mijë të tjera deri në 21 mars, kur është edhe Dita Ndërkombëtare e Pyjeve dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës ka premtuar të thyejë rekord me mbjelljen e 100 mijë pemëve.

Në konferencën për financimin e shërbimeve mjedisore pas ndarjes administrativo-territoriale, kryetari Erion Veliaj nuk mund të mos përmendte pyllin orbital: “Duam të rrethojmë Tiranën me një unazë të gjelbër, e cila shërben për të ndarë zonën rurale nga zona urbane dhe për të kufizuar urbanizimin e qytetit. Për sa kohë që jemi një qytet, i cili nuk mund të përballojë një metro, duke qenë se 1 km kushton 300 milionë euro, pra 3 buxhete vjetore të Bashkisë së Tiranës për 1 km metro. Pra, për sa kohë që ky është jorgani, do t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin”.

60% e investimit për mbjelljen e pemëve në Tiranë vijnë nga privati, thekson Veliaj.

Për një mjedis sa më miqësor, Bashkia e Tiranës po nxit transportin e pastër dhe së shpejti pritet të fillojë funksionimi i autobusëve elektrikë.

“Kemi përgatitur një propozim për Këshillin Bashkiak për linjën e parë të autobusëve elektrikë. Do të miratojmë një linjë të re dhe do t’u themi se kush sjell autobusë elektrikë, e merr menjëherë linjën”, u shpreh Veliaj.

Të gjithë ata që do të sjellin në Tiranë taksi elektrike, do të licensohen brenda 24 orëve, premtoi Veliaj.

Top Channel