“SAG Awards”, ceremonia dominohet sërish nga skandali i abuzimeve seksuale

22/01/2018 13:35

Gary Oldman u përlot kur mori çmimin e performancës së jashtëzakonshme të një aktori mashkull, me interpretimin e Winston Churchill. Nicole Kidman ia faturoi gripit nervozizmin që përshkoi fjalimin e saj. Mikpritësja e parë e eventit, Kristen Bell hodhi një batutë mbi Melania Trumpin, pa e përmendur në emër, ndërsa bukuroshja Kate Hudson këtë herë kryeson listën e të ftuarave të veshura më keq.

Mediet kishin plot se ç’të shkruanin për ceremoninë e sivjetshme të “Screen Actors Guild”. “Three Billboards” pranë Ebbing, Missouri rrëmbeu sërish çmimin e madh të mbrëmjes, duke shtuar kështu pikët në rrugën e vet drejt “Oscars”.

Dy aktorë të filmit që rrëfen luftën për drejtësi të një nëne të përballur me vrasjen e së bijës, Frances McDormand dhe Sam Rockwell, dolën gjithashtu me çmime nga mbrëmja.

Në mënyrë të pashmangshme, ceremonia u dominua – ashtu si disa të tjera përpara saj, – nga skandali i abuzimeve seksuale në “Hollywood”, me një varg fjalimesh të përqëndruara te fuqizimi i gruas.

Rosanna Arquette, një prej aktoreve të ngacmuara nga producenti Harvey Weinstein, u duartrokit në skenë, ku kolegia Marisa Tomei e cilësoi “si një prej atyre femrave që thyen heshtjen, e për këtë të gjithë i detyrohen mirënjohje”.

Në kontrast të thellë me çmimet “Golden Globe”, ku në shenjë solidariteti me viktimat e agresionit seksual mbizotëruan veshjet e zeza, tapeti i kuq i “SAG Awards” ishte një shpërthim ngjyrash, si për të treguar se duhet ecur përpara, apo e thënë me fjalët e Kristen Bell, “sepse frika dhe zemërimi nuk e fitojnë kurrë garën”.

Top Channel