Riorganizmi i lëndëve mesimore; ministrja në Angli, debat në Komisionin e Arsimit

22/01/2018 20:19

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Arsimit, deputetja demokrate Albana Vokshi nuk e priti aspak mirë faktin që në Komision në vend të ministres Nikolla, u paraqit zv/ministrja Shahini.

“Seanca nuk mund të vazhdojë pasi unë dhe kolegët kemi kërkuar që të jetë Nikolla”, deklaroi Vokshi.

Me kaq iu dha fund seancës, megjithë këmbënguljen e zv ministres për t’u përgjigjur.

“Ne do të mund ta vazhdonim diskutiminim pasi unë i kam të gjithë përgjigjet e pyetjeve tuaja”, deklaroi zv.ministrja Shahini.

“A bëhet një nismë në ilegalitet? Pse nuk jep emrat e grupit të punës? Ku është bazuar? Kush janë modelet?”, deklaroi Albana Vokshi.

Pas largimit të zv.ministres nga Kuvendi, Top Channel e takoi atë në ministri për të marrë përgjigjet e pyetjeve.

“Modele ka shumë, Greqia, Kanadaja, Anglia Finlanda dhe Holanda. Nuk është një model që është marrë kryekëput nga një vend, janë studjuar të gjitha dhe është parë mënyra më e mirë për implementimin në kushtet e Shqipërisë”, deklaroi ajo.

“Modele ka në Europë shumë. Greqia e bën mësimin paradite me orë në bllok. Kemi eksperienca nga Anglia, Finlanda dhe Holanda. Nuk është një model i marrë kryekëput. Anëtare është kryetarja e Këshillit të Prindërve, është edhe Anila Aliaj që punon në DAR, specialiste e kurrikulave”, përgjigjet zv.ministrja Besa Shahini.

Ministria e justifikoi mungesën e ministres në Komisionin Parlementar, me një vizitë pune në Britaninë e Madhe.

Top Channel