“Të pasurit, gjithnjë e më të pasur. Të varfërit, gjithnjë e më të varfër”. Ky është alarmi i lëshuar nga “Oxfam” mbi pabarazinë në botë.

Hendeku thellohet në botë, me 1 për qind të të pasurve të botës që vazhdon të zotërojë 99 për qind të pasurive. E madje vazhdojnë të pasurohen edhe më shumë. 82 për qind e pasurisë neto të regjistruar në botë nga marsi i 2016-s deri në mars të vitit 2017 ka shkuar në xhepat e këtij 1 përqindëshi.

As edhe një qindarkë, ndërkohë, nuk është shtuar në xhepat e më të varfërve të planetit, që shkojnë në 3.7 miliardë persona.

Kontrasti është i dukshëm edhe si pasojë e faktit që çdo dy ditë regjistrohet arritja e një miliarderi të ri. OJF-ja britanike ka publikuar një raport të ri mbi pasurinë në botë, në vigjilje të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, që do të mbledhë në qytezën zvicerane “ajkën” botërore të ekonomisë dhe politikës.

“Të rikompensohet puna dhe jo pasuria”, është titulli i raportit, që mund të perifrazohet me dy fjalë: mjerim dhe pabarazi.

Në raport sillet edhe një shembull konkret. Për shembull në SHBA, në sektorin e veshjeve, aksionerët e 5 markave kryesore kanë përfituar gjatë vitit 2016, dividentë në shumën e 2.2 miliardë dollarëve. Do të mjaftonte një e treta e kësaj shifre për të garantuar një pagë dinjitoze për 2.5 milionë vjetnamezë që punojnë në të njëjtin sektor, duke prodhuar veshje që ndoshta gjithkush i ka në garderobë.

Por, hendeku është i thellë edhe nga puna në punë. Mjafton një ditë si administrator i deleguar në SHBA për të fituar aq sa një punonjës i së njëjtës kompani merr në një vit të tërë. Pikërisht për këtë fakt, mes propozimeve të “Oxfam” është ai i vendosjes së një tavani për superpagat e drejtuesve kryesorë, në mënyrë që të mos kapërcehet raporti 20 me 1.

Në raport nënvizohet edhe hendeku në pagesë mes meshkujve dhe femrave.

Top Channel