Lista e kandidatëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë për KLGJ dhe KLP është bërë objekt debati në nënkomisionin ad hoc për përzgjedhjen e tyre.

Ulsi Manja i PS-së tha se lista e atyre që plotësojnë kushtet formale ligjore, sipas Sekretarit të Përgjithshëm është automatikisht e miratuar dhe se nënkomisioni mund të marrë nga lista e të skualifikuarve dhe ti kalojë në listën e atyre që plotësojnë kushtet.

Por demokrati Oerd Bylykbashi thotë se detyra e nënkomisionit është të heqë ata që janë vendosur padrejtësisht në listën e atyre që plotësojnë kriteret. “Ligji thotë: “vlerësimi i ONM reflektohet në listën e Sekretarit të Pergjithshem”, ky i fundit nuk mund ta injorojë”, tha ai..

Ndërsa socialistja Vasilika Hysi tha se një e drejtë e tillë për të hequr nga lista nuk ka pasur as në rastin e listave të vetingut.

“Kjo e drejtë për të hequr nga lista nuk ka qenë as në rastin e listave për vettingun. N/komisioni ka të drejtë vetëm të shtojmë, nëse do të biem dakort. Nëse nuk biem dakort, do të hidhet me short”, tha Hysi.

“ONM nuk është si puna e lekut që kur do BSH e zhvlerëson dhe e vlerëson, ONM është si Euro. Kur na duhet ne, ONM del edhe më e fortë se Kushtetuta, përndryshe jo”, iu përgjigj Bylykbashi.

Ai akuzoi maxhorancën se e ka kapur listën sipas qejfit të Edi Ramës. “Sepse ku i dihet, mund të ndodhë si në Rumani, Kroaci dhe vjen SPAK-u. Ju po i garantoni sot imunitetin. Edi Rama ju ka thënë: unë dua drejtësinë ta kem në dorë. Keni korruptuar procesin kushtetues që të shpëtoni Edi Ramën dhe ata që qëndrojnë pas tij”, tha ai.

Bylykbashi bëri thirrje që të hiqen nga lista çfarë thotë ONM-ja dhe ligji.

 

Top Channel