Tur në Lindjen e Mesme, Pence bojkotohet nga palestinezët

22/01/2018 11:42

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ka nisur një vizitë në Izrael, në etapën më të fundit të një turneu në Lindjen e Mesme, i pari që pas njohjes nga ana e presidentit Donald Trump të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Pence është i sigurtë për një pritje të ngrohtë kur të flasë para Parlamentit izraelit. Kryeministri Benjamin Netanjahu e ka cilësuar atë, ndërkohë, një mik të madh të Izraelit.

“Do të diskutoj dy çështje me të: paqen dhe sigurinë. Për sa i takon paqes kam një mesazh për udhëheqësin palestinez, Mahmoud Abbas: Nuk ka alternativë tjetër për lidershipin amerikan në procesin diplomatik. Kushdo që nuk është i gatshëm të flasë me amerikanët për paqen, nuk e do paqen”, paralajmëroi Netanjahu.

Palestinezët po bojkotojnë zv.presidentin Pence për shkak të vendimit të Trumpit për Jeruzalemin.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas e ka quajtur një shuplakë në fytyrë këtë vendim dhe ka refuzuar Uashingtonin si ndërmjetësues të drejtë në bisedimet e ardhshme për paqen.

Para se të mbërrinte në Izrael, Pence pati një takim në Jordani me Mbretin Abdullah, ku ky i fundit bëri apel për një përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të rikthyer besimin në rajon.

Në një takim të mëparshëm, Pence raportohet se ka inkurajuar udhëheqësin egjiptian, presidentin Abdel Fattah al-Sissi të bëjë presion mbi palestinezët për t’u rikthyer në bisedimet e paqes, duke thënë se ai mbështeste një zgjidhje për dyshtetësi nëse të dyja palët e duan atë.

Top Channel