Kreu i Vetëvendosjes, rizgjidhet me 99% të votave Albin Kurti

22/01/2018 08:30

Albin Kurti, kandidati i vetëm në garën për kreun e Vetëvendosjes, u rizgjodh në krye të saj me gati 99% të votave. Vetëm një për qind e aktivistëve të kësaj force politike u deklaruan kundër themeluesit të saj, e madje edhe më pak abstenuan.

Përmes një njoftimi gjatë ditës së hënë, Vetëvendosja rrëzoi edhe pretendimet e disa ish-anëtarëve se po vonohej me publikimin e të dhënave, gjë që u dha udhë disa spekulimeve se pjesëmarrja ishte e ulët dhe duhej parë si një dëshmi më shumë për faktin që brenda forcës politike ka një rrymë tjetër.

Shifrat e nxjerra së fundi prej drejtuesve të saj tregojnë se pjesëmarrja ka qenë në masën 33.83%, që sipas tyre do të thotë ndjeshëm më e lartë sesa 27.43% përqindëshi i shënuar gjatë zgjedhjes së kryetarit në vitin 2015.

Të dorëhequrit nga partia nuk u bënë pjesë e votimit. Në mesin e atyre që zgjodhën të mos votojnë ishin Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu, ndërsa Shpend Ahmeti e ushtroi të drejtën e tij vetëm pak minuta përpara se qendrat të mbylleshin.

Votimi i kthen Albin Kurtit timonin e forcës politike së krijuar prej tij përpara 13 viteve, por ai konfirmoi nga ana tjetër përçarjen e thellë në radhët e Vetëvendosjes, që kërcënon ta çojë atë drejt ndarjes, siç parashikojnë shumë analistë.

Pikërisht grupi i atyre që munguan, i drejtuar nga Ymeri, besohet se do të jetë ai që do të formojë partinë e re. Por kjo, ndoshta mund të shmanget.

Dy ditë më parë u njoftua se deputeti Glauk Konjufca dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, janë përzgjedhur nga Kryesia e Vetëvendosjes për të negociuar ndërmjet dy “grupeve” brenda Lëvizjes, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për problemet dhe ndasitë që e kanë përfshirë këtë subjekt politik, e për të cilat mendojnë se mund të ketë zgjidhje.

Top Channel