“Flokëborëshi”, nga shtigjet e acarta malore zbulon “parajsën” në Pekin

22/01/2018 14:43

Pak ditë më parë përloti të gjithë rrjetin kinez e jo vetëm, pasi fotoja e tij u përhap në të gjithë botën. Bëhet fjalë për djaloshin e mbuluar nga akulli pasi kishte ecur për 4 kilometra mes dëborës për të shkuar në shkollë, në një nga fshatrat më “të përhumbur” malorë të provincës Yunnan.

Falë fotos, atë e quajtën edhe si “flokëborëshi” apo “njeriu i akullt”, sepse flokët i ishin “zhdukur” nga copat e akullit të rëna mbi kokë gjatë udhëtimit.

Tashmë Wang Fuman, 8 vjeç, është ftuar së bashku me babain dhe motrën e tij në Pekin, pikërisht nga Partia Komuniste që kërkon ta përdorë këtë rast si shembullin real të “bamirësisë”, apo të politikës së “të mos lënit asnjë prapa”, siç ka premtuar edhe presidenti Xi Jinping.

Udhëtimi në Pekin u bë me avion, hera e parë në jetën e tij. Atje, i ndjekur nga telekamerat e televizionit shtetëror, djaloshi i vogël vizitoi sheshin Tienanmen, me në sfond sigurisht një flamur kinez, siç bën çdo turist që vjen nga provincat për në sheshin kryesor të kryeqytetit perandorak.

E falë naivitetit të çdo fëmije, ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte i nxehti surprizues i qytetit, krahasuar me acarin që përjeton në fshatin e tij Yunnan.

“Dhoma ku fjeta ishte aq e ngrohtë, saqë m’u desh të mbaja vetëm një bluze të hollë dhe ndihesha shumë mirë. Ishte si një mrekulli. Andej nga ne ndihet vetëm era e qymyrdrurit të djegur nëpër shtëpi”, tha Wang.

Ajo që priste me padurim ishte të shikonte sesi shkonin në shkollë bashkëmoshatarët e tij, pasi ai vet ishte mësuar prej kohësh të ecte i vetëm mes shtigjeve malore.

E dërguan më pas në një komisariat policor, sepse Fuman u kishte thënë se ëndrra e tij ishte të bëhej agjent për “të kapur të këqinjtë”, dhe i veshën një helmetë dhe jelek antiplumb, edhe pse nuk i gjetën numrin e përshtatshëm, por më të mëdha për trupin e tij. I mësuan sesi të bënte përshëndetjen ushtarake. Të përditshmet e Pekinit i korrigjuan edhe emrin, pasi fillimisht e kishin identifikuar si Manfu, e më pas kishin zbuluar se në regjistrat e gjendjes civile njihej si Fuman. Domethënia e emrit, gjithsesi nuk ndryshon dhe nënkupton “plot me kënaqësi”.

Por, duke lënë mënjanë propagandën, Fuman do të vazhdojë të jetojë me të atin, i cili është thirrur në fshat me një ofertë tepër të mirë pune dhe një pagë shumë më të lartë nga sa merrte në një kantier të një qyteti të largët, ku kishte emigruar.

Në hotelin ku qëndroi kishte edhe televizor dhe së bashku me vëllanë zbuluan ekzistencën e filmave të animuar, si fëmijët normalë të të gjithë botës.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel