Autoritet policore greke të rajonit të Epirit, zona kufitare me Shqipërinë, njoftuan se gjatë vitit 2017 kanë sekuestruar më shumë se 9 tonë kanabis.

Autoritet greke e konsiderojnë këtë sasi një ndër më të mëdhatë e sekuestruara për rajon në Europë. Policia greke thotë se viti 2017 ka qenë mjaft i ngarkuar për nga intensiteti i aksioneve për bllokimin e kanabisit.

Sasitë e bllokuara ndër vite kanë ardhur duke u shtuar. Në vitin 2015, në zonën e Epirit u ndaluan rreth 600 kg kanabis; në vitin 2016 u sekuestruan 3.5 tonë dhe në 2017-n plot 9.3 tonë.

Për parandalimin e kalimit të ngarkesave nëpërmjet kufirit shqiptaro-grek u morën masa paraprake me shtimin e patrullave në zonën kufitare, pas informacioneve të marra në rrugë operative lidhur me sipërfaqet e mëdha të mbjella në Shqipëri.

Sipas policisë greke, sasitë më të mëdha u sekuestruan në muajt shkurt, mars dhe qershor, ku sasia mujore e kalonte një ton, ndërsa në muajt e tjerë sasia e sekuestruar varionte rreth 500-700 kg.

Kryesisht sasitë e drogës kalohen me kafshë nëpërmjet kufijve, e pasi magazinoheshin në pika të caktuara, ngarkoheshin në vetura dhe furgonë dhe në vazhdim dërgoheshin në kryeqytetin e vendit, Athinë.

Më shumë se 150 vetë, shumica shqiptarë, janë ndaluar gjatë aksioneve për bllokimin e lëndës narkotike, ndërsa veç kanabisit, në rrjetën e policisë ranë edhe 4 kg heroinë si dhe sasi kokaine, vaji kanabisi, armë dhe dhjetëra automjete dhe furgonë të përdorur nga trafikantët.

Ndërkohë që autoritetet greke thonë se kjo sasi është vetëm një pjesë e asaj që u sekuestrua në të gjithë Greqinë.

Top Channel