Dy persona u gjetën të vrarë në Vlorë, në lagjen “1 Maji”. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit.

Salkie Hoxhallari, 73 vjeç, dhe Olsi Hoxhallari, 43 vjeç, u gjetën pa jetë në banesën e tyre, që ishte shkrumbuar nga flakët.

Zjarri i rënë në banesë bënë të mendohej se e gjithë ngjarja kishte ndodhur si pasojë e një incidenti me bombolën e gazit, apo një cigare të lënë ndezur, version që deri gjatë paradites u besua edhe nga familjarët.

“Ishte ora 4 kur erdhëm ne dhe i gjetëm të djegur. Ajo ka qenë bombola, shkëndija s’ka pasur lidhje. Bombola dhe cigarja e ndezur”, tha Gazmir Fetollari.

Por ekspertët, pas ekzaminimeve që u bënë viktimave gjetën shenja dhune në trupat e tyre. Të moshuarës Salkie Hoxhallari iu gjetën shenja dhune në grykë, ndërsa djalit të saj 43-vjeçar, ekspertët i gjetën të çara në kokë.

Policia konfirmon se, nënë e bir janë vrarë e më pas, për fshirjen e provave, banesës ku ata banonin i është vënë zjarri. Policia shoqëroi disa të afërm të tyre për t’i marrë në pyetje, ndërsa po zhvillohen edhe kontrolle në të gjithë zonën për gjetjen e autorit të vrasjes.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel