Tottenham bën gjithçka, por nuk siguron dot fitoren ndaj Southamptonit

21/01/2018 19:17

Tottenhami nuk ka mundur të shkojë më larg sesa barazimi në transfertë kundër Southamptonit që lufton për mbijetesë në Premier League.

Ndeshja u duk se do të kishte shumë gola, kur në minutën e 15 “Spurs”-at e panë veten në disavantazh pas një autogoli të shënuar nga Sanchez, gabim të cilin e korrigjoi brenda 3 minutash golashënuesi i përhershëm i këtij sezoni, Harry Kane.

Edhe pse barazpesha u vendos shumë shpejt dhe Tottenham kishte përpara mbi 70 minuta lojë për të tentuar fitoren që do ta bashkëngjiste me Liverpoolin në vendin e 4-t të renditjes, të besuarit e Pochettinos nuk ia dolën dot të ndryshonin rezultatin deri në fundin e takimit.

Tashmë Tottenhami mban vendin e 5-të, duke lënë pas krahëve rivalët londinezë të Arsenalit, por rrezikojnë të ndjekin në një distancë më të thellë Liverpoolin, që ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar, e Chelsean, me plot 5 pikë nëse “të kuqtë” do të fitojnë në sfidën e mbetur ndaj uellsianëve të vendit të fundit, Swansea.

Top Channel