“Plaçkisim ose vdesim urie”, trendi më i ri në Venezuelë

21/01/2018 17:23

Ndërsa mungesa e ushqimeve bëhet e dëshpëruar, venezuelianët po mësojnë aftësi të reja mbijetese.

Plaçkitjet e dyqaneve me ushqime janë fenomeni më i shpeshtë tashmë në Venezuelë, ku mungojnë gjithashtu ilaçet dhe kequshqyerja është shndërruar në problemin më serioz.

Videot e publikuara nga të 4 anët e vendit shfaqin qartë atë që ndodh përditë dhe që nuk kufizohet vetëm me dyqanet.

Prè e plaçkitjeve janë bërë kamionët me ushqime, magazinat dhe fermat rreth qyteteve. Madje ka raporte edhe për piratë të improvizuar, që kanë sulmuar në det peshkarexhat për t’i grabitur gjahun e kapur.

Për shumë njerëz, bashkë me mijëra të tjerë që kanë emigruar në Kolumbi, Venezuela i ka hedhur hapat e para drejt kaosit, ndërsa ekonomia e vendit është në një pikiatë të frikshme.

Presidenti Nicolas Maduro ia faturon telashet e vendit luftës ekonomike kundër qeverisë së tij nga të djathtë dhe interesat e huaja. Kritikët e qeverisë, ndërkohë, thonë se shtetëzimi i gjithçkaje solli katastrofën dhe qeveria, në vend që të reformojë ekonominë, këshillon njerëzit të rrisin perime në çatitë e shtëpive dhe lepuj për mish.

Por, ndërsa ndihen gjithnjë e më të uritur, shumë venezuelianë ngulin këmbë se kanë të drejtë të marrin situatën në duart e tyre.

“Plaçkisim ose vdesim urie”, thonë qytetarët dhe fakti që forcat e sigurisë nuk ndërhyjnë kurrë do të thotë se ata kanë të drejtë dhe qeveria tashmë është dorëzuar, megjithëse pushtetin vazhdon ta mbajë.

Top Channel