Macron: Referendumi për “Brexit”-in ishte një gabim

21/01/2018 17:18

Francezët mbase do të kishin votuar për të lënë Bashkimin Europian, nëse do t’iu ishte paraqitur një zgjedhje e ngjashme me referendumin për “Brexit”.

Kështu deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron, për BBC-në, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar mori përsipër një rrezik të madh, duke kërkuar përgjigje me “po” ose “jo” për një subjekt tej mase të ndërlikuar.

“Mendoj se është e gabuar t’u kërkosh njerëzve të përgjigjen vetëm ‘po’ ose ‘jo’, ndërkohë që nuk i ke pyetur sesi mund të përmirësohet situata dhe as nuk ke dhënë shpejgime për këtë”, deklaroi Macron, i cili shtoi se referendumi, sidomos me opsione kaq të kufizuara është gjithnjë një rrezik i madh për politikanët.

Udhëheqësi francez paralajmëroi gjithashtu kryeministren Theresa May se, qeveria e saj nuk mund të zgjedhë të mbajë përfitimet e BE-së që i bëjnë punë. Ai tha se Britania mund të arrijë një marrëveshje enkas për të në bisedimet me Brukselin, por shtoi se ajo nuk do të përfshijë qasje të plotë në tregun e përbashkët.

Top Channel