Interi “mbron” zonën Champions, në San Siro s’ka fitues

21/01/2018 22:48

Interi dhe Roma kanë ndarë nga një pikë, që ashtu siç erdhi rrjedha e lojës u përshtatet me shumë zikaltërve.

Në San Siro dy skuadrat treguan që në minutat e para që nuk kishin hyrë në fushë për barazim, megjithëse në fund barazimi ishte ai që morën.

Interi u tregua më ngulmues në minutat e para, duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare, por si Icardi, si Borja Valero dhe të tjerët shpërdoruan rastet.

Krejt e kundërta ndodhi në anën tjetër. Në një prej kundërsulmeve të pakta, Roma gjeti golin me anë të El Sharauit. Vlen të përmendet që pak minuta para kësaj rrjete, Icardi u përfshi në një episode të dyshimtë mes dy mbrojtësve të Romës brenda zonës. Por, protestave të tij për 11-metërsh, gjyqtari i takimit iu përgjigj me vazhdimin e lojës.

Pjesa e parë u mbyll me Romën në avantazh. Në të dytën, Interi bëhet më këmbëngulës në kërkim të golit të barazimit, gol që e gjeti me Vecinon në minutën e 86-të. Më shumë sesa pika e marrë, fitore për Interin ishte ndalimi i një rivali direkt për një vend në zonë e Champions.

Me këtë barazim, Interi ruan për momentin vendin e katërt me 43 pikë, po aq sa Lacio, që ka edhe një ndeshje më pak. Ndërkohë, Roma ndodhet në vendin e pestë me 40 pikë, por edhe ajo me një ndeshje më pak se zikaltërit.

Top Channel