Klima e negociatave të emrit të Maqedonisë po nxehet.

Në kohën kur qeveria e tij u duk se po bënte lëshime, kryeministri grek Alexis Tsipras shkaktoi polemika të reja me intervistën e dhënë gazetës “Etnos”, ku tha se në kuptimin historik është kundërthënëse dhe absurde që disa të kërkojnë ekskluzivitetin e Maqedonisë edhe në kuptimin e identifikimit etnik.

“Por sërish nuk është absurde, – shtoi Tsipras, – që termi ‘Maqedonia’ të përfshihet në një emër të përbërë me përcaktim gjeografik ose kohor, i cili të vlejë për të gjithë. E kështu do të jetë e qartë se askush nuk kërkon territore ose histori të popujve të tjerë”.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov iu përgjigj me një postim në Facebook pohimeve të kryeministrit grek një ditë më parë, se “komb maqedonas nuk ka pasur kurrë në antikitet, siç nuk ka pasur komb athinas apo spartan”.

“Bërja dhe ushqimi i armiqësive është i lehtë, por i dëmshëm, – shkruan Dimitrov. – Patriotizmi nuk është një shpërthim i shkurtër e i pakontrolluar i emocioneve, por një angazhim i qetë dhe konstant gjatë të gjithë jetës”, vazhdon ai.

Mijëra qytetarë u grumbulluan ndërkohë në qendër të Selanikut, në një miting proteste kundër përfshirjes së emrit “Maqedoni” në emërtimin e fqinjit verior të Greqisë. Mbi 500 autobusë me njerëz mbërritën atje nga Greqia e veriut dhe zonat përreth.

Bregdeti i Selanikut është mbushur me qytetarë që mbajnë në duar flamuj dhe pankarta, ku shkruhet “Maqedonia është greke”.

Top Channel