Presidenti amerikan, Donald Trump, ai francez, Emmanuel Macron, kryeministri i Indisë Narendra Modi, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, kryeministri kanadez, Justin Trudeau dhe liderë të tjerë botërorë do të marrin pjesë në Forumin Botëror më të madh ekonomik që organizohet në Davos të Zvicrës.

Në mesin e tyre, i vetmi i ftuar nga Kosova do të jetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Zyra për Informim e Presidentit ka konfirmuar se Thaçi do të jetë pjesëmarrës në Forumin më të madh ekonomik botëror.

Sipas Zyrës, gjatë qëndrimit atje, Presidenti Thaçi do të zhvillojë shumë takime, për të shtyrë përpara agjendën e njohjes dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral me përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse. Zyra për Informim ka paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të japin informacione shtesë lidhur me axhendën e plotë të Presidentit Thaçi në Davos.

Ky forum mbledh shumicën e liderëve më të fuqishëm të botës, biznesmenë dhe personalitete të tjera të famshme dhe prapaskenat e tij konsiderohen si opsionet më të mira të mundshme për të diskutuar dhe negociuar për probleme të rëndësishme e shqetësuese të politikës globale.

Top Channel