Rama “tkurr” premtimin

20/01/2018 15:01

“Flasim për rritjen ekonomike. Patjetër që 3.5 për qind nuk është mjagtueshme. ne këmi një plan që të arrijmë mbi 5 për qind në tre vitet e ardhshme për të shkuar deri në 7 për qind përmes programit të investimeve 1 miliardë”, ka thënë kryeministri Rama më 23 dhjetor të 2016.

Ndryshe nga zotimet publike të kryeministrit për rritje ekonomike deri në 7 për qind, në kuadrin makroekonomik qeveria paraqet një variant më të përmbajtur. Në dokumentin, e miratuar pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave pranon se rritja ekonomike do të mbetet poshtë nivelit 4.5 për qind të paktën deri në vitin e fundit të mandatit qeverisës.

Prej gati një dekade, ekonomia shqiptare është rritur me ritme të ulëta. Kulmi u shënua në vitin 2013, kur Shqipëria gati ra në stanjacion dhe prodhimi kombëtar u rrit vetëm 1 për qind.

Pas 2013-ës, rritja ekonomike është forcuar në mënyrë graduale dhe vitin që lamë pas vlerësohet të ketë arritur 3.9 për. Qeveria parashikon se ky trend do të vazhdojë. Sipas saj këtë vit prodhimi kombëtar do të zgjerohet me 4.2 për qind dhe më pas deri në vitin 2021, rritja do të përshpejtohet në 4.5 për qind, e mbështetur më së shumti nga gjallërimi i konsumit të popullatës dhe një kontribut më i vogël nga investimet.

Por Fondi Monetar parashikon një skenar më të përmbajtur. Sipas FMN, këtë vit rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet në 3.7 për qind për shkak të tërheqjes së investimeve dhe për periudhën 2019-2022 ajo do të jetë mesatarisht 3.9 për qind.
Kjo është hera e parë, kur qeveria dhe FMN kanë diferenca në vlerësimet për ekonominë, ndonëse jo në nivele të mëdha. Por në ambientin e vështirë ekonomik që ka krijuar kriza e vitit 2008 edhe këto skenare të përmbajtura, kanë pasiguri të larta.

Top Channel