Zgjedhja e Kryeprokurorit të Përkohshëm, Lu: Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta

19/01/2018 11:30

“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit”.

Ky është reagimi i Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu në lidhje me hapat që po ndiqen për zbatimin e reformës në drejtësi.

Pas kësaj deklarate të Ambasadës së SHBA, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama.

“Përkthimi shqip-shqip i SHBA rrëzon përsëri leximin shqip-SHQUP të Kushtetutës për drejtësinë. Shumë keqardhje dhe pak shpresë për reflektim”, thotë Rama.

Reagimi i ambasadës ka mbërritur pas letrës që Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u ka dërguar përfaqësive diplomatike në Tiranë.

Në letër, Kryemadhi thotë se prioritet i mazhorancës është kapja e sistemit të drejtësisë.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzuan në Parlament propozimin për ndryshimet kushtetuese, pasi sipas opozitës, zgjedhja e Kryeprokurorit të Përkohshëm është antikushtetuese.

Para zgjedhjes së Arta Markut, një opinion i dhënë nga misionet ndërkombëtare, OPDAT-i amerikan dhe EURALIUS-i i BE-së sugjeronte zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të përkohshëm edhe me shumicë të thjeshtë në Parlament.

Top Channel