Parlamenti i Ukrainës miratoi një ligj që i përkufizon zonat në lindje të vendit të kontrolluara nga separatistët prorusë si të pushtuara përkohësisht nga Rusia.

Ligji i riintegrimit të rajonit, i mbështetur nga 280 deputetë, e cilëson Rusinë si një shtet agresor. Moska e dënoi këtë lëvizje dhe tha se mund të konsiderohet vetëm si përgatitje për një luftë të re.

Më shumë se 10 mijë njerëz janë vrarë në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut, që kur konflikti nisi në prill të vitit 2014. Një muaj më herët, Rusia pushtoi gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ligji që konsideron Rusinë si pushtuese u miratua në Parlamentin ukrainas pas 3 ditësh debati. Në dokument shkruhet se Federata Ruse po kryen një krim agresioni ndaj Ukrainës dhe përkohësisht ka pushtuar pjesë të territorit të saj.

Moska akuzohet se dërgon njësi të armatosura në Donetsk dhe Luhansk dhe se nuk respekton armëpushimin. Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se dërgon trupa në luftë dhe armatos rebelët, diçka që Moska e mohon. Por, Kremlini ka pranuar se vullnetarë rusë po ndihmojnë rebelët.

Top Channel