Klauzolat europiane të largimeve, Hysaj mes lojtarëve “në rrezik”

19/01/2018 12:46

Braziliani Neymar u transferua te Paris Saint Germain në një marrëveshje të bujshme që zhvlerësoi totalisht klauzolën e largimit në kontratën me Barcelonën, e katalanasit, për të mos e pësuar sërish vendosën të blindojnë Pique me 500 milionë euro detyrim, e zeza mbi të bardhë.

Por mbrojtësi katalanas nuk hyn dot as në 5 klauzolat më të shtrenjta të vendosura për futbollistët.

Cristiano Ronaldo është lojtari që ka detyrimin më të madh, në rast se do të shkëpusë njëanshmërisht kontratën me Realin e Madridit. Nëse luzitani vendos të ikë pa konsensusin e klubit “merengues” do të duhen plot një miliard euro, shifër e paimagjinueshme edhe për kryesuesit e revistës “Forbes”.

I dyti në listën e lojtarëve që kanë klauzola më të larta largimi në kontratë është Karim Benzema, me të njëjtën shifër si Ronaldo, por me vlerë dukshëm më të ulët në merkaton botërore. Në shkallën më të ulët të podiumit gjenden plot 3 futbollistë, Isco dhe Asensio të Realit të Madridit dhe Lionel Messi i Barcelonës.

Ndërkohë, klauzolat e largimit janë një risi në vitet e fundit në futbollin italian, ku spikat edhe emri i Elseid Hysajt. Mbrojtësi shqiptar i Napolit vlerësohet me 50 milionë euro, nëse do të shkëpusë njëanshmërisht marrëdhëniet me klubin kryesues të Serie A. Mes lojtarëve me vlerën më të lartë janë sulmuesit Icardi dhe Belotti.

Top Channel