Skuderia italiane nga Maranello, Ferrari vlen më shumë sesa Mercedesi dhe Red Bull së bashku. Ky është përfundimi i një studimi të “Business Camp Sport Consulting”, një agjenci marketingu spanjolle e specializuar në sportet e automobilizmit dhe motorëve.

Çdo vit, në fund të sezonit, kjo shoqëri pasqyron vlerësimin e skuderive të Formulës 1, duke treguar edhe arsyet.

Sipas kësaj analize, skuderia Ferrari vlen 1.33 miliardë euro, apo 91% më shumë sesa Mercedesi, me 695 milionë euro, thuajse dyfishi i McLarenit, me 640 mln euro, dhe Red Bullit, me 620 mln euro, dhe trefishi i Williamsit, me 405 mln euro.

Edhe më pak vlejnë ekipet e tjera. Force India dhe Renault, për shembull, sapo i kanë kaluar 200 milionë eurot, respektivisht me 215 dhe 212 mln euro secila. Toro Rosso është në kufijtë e 180 mln eurove, dhe fundi ndahet mes Sauberit dhe Haasit, me 110 dhe 108 mln euro secila.

Këto vlera dalin nga një algoritëm që merr në konsideratë aspekte të ndryshme, siç shpjegon Pablo Carames Rey, shefi ekzekutiv i shoqërisë.

“Për të vlerësuar një skuderi përdorim vlerën historike të saj, të ardhurat që disponon, sponsorët dhe incidencën e të ardhurave, fitimet ose humbjet e vitit”.

Vetëm 3 vite më parë, Mercedesi ishte i katërti në këtë klasifikim me 516 mln euro, duke pasur përpara jo vetëm Red Bullin dhe Ferrarin, por edhe McLarenin, vlera e të cilit ka qenë në pikiatë.

Në fakt, edhe skuderia nga Maranello ka pësuar rënie nga viti 2014, kur kishte një vlerë prej 1.521 mld eurosh. Në vitin 2015 zbriti me 69 mln euro, ndërsa në 2016-n me 127 mln euro. Vetëm vitin e fundit ka nisur ngjitja, edhe pse disi e lehtë me vetëm 5 mln euro.

Top Channel