“Friedrike” godet Europën, viktima e kaos në transport nga stuhia

19/01/2018 12:41

Shërbimi hekurudhor ka nisur punën si normalisht në Gjermani, pas pastrimit të shinave nga pemët e rrëzuara dhe sende të tjera që pengonin kalimin e trenave.

Në të gjitha zonat e vendit, të prekura nga stuhia vdekjeprurëse “Friedrike”, ka nisur puna për të hequr nga rrugët objektet që fluturuan në ajër prej erërave me një shpejtësi 140 km në orë.

Stuhia e përplasur me furi mbi Europën veriore mori 12 jetë njerëzish, dy nga të cilët zjarrfikës. Tetë janë viktimat në Gjermani. Operatori hekurudhor gjerman “Deutsche Bahn” u detyrua t’i pezullonte udhëtimet e gjata pasditen e së enjtes, e probleme patën një sërë shërbimesh rajonale.

Fluturimet në Aeroportin e “Schiphol”-it në Amsterdam, një ndër më të frekuentuarit në Europë, u ndërprenë, e problemet nuk kursyen as fluturimet e brendshme gjermane ndërmjet Mynihut dhe Berlinit, Dyzeldorfit, Hamburgut e Këlnit.

“Friedrike” e përshkoi Gjermaninë nga perëndimi në lindje, përpara se të mbërrinte në Poloni. Stuhia shkaktoi kaos edhe në Britaninë e Madhe, ku shkuli pemë e la me mijëra shtëpi pa energji elektrike.

Policia mbylli përkohësisht qendrën e Almeres, një qytet holandez në lindje të Amsterdamit, me rreth 200 mijë banorë. Edhe këtu njerëzit janë këshilluar ta shmangin daljen nëpër rrugë. Erërat e fuqishme, sipas faqes së internetit të transportit “VID” kanë përmbysur të paktën 17 kamionë.

Shërbimi gjerman i Meteorologjisë e cilësoi “Friedrike”-n si stuhinë më të egër që godet vendin që prej vitit 2007.

Top Channel