Dita e “Ujit të bekuar”, Putin sfidon temperaturat e acarta

19/01/2018 14:09

Vladimir Putin nuk lë rast pa treguar se po sfidon vitet me fizikun e tij, e festën e “Ujit të bekuar” e kremtoi me një zhytje në ujërat e ngrira të liqenit Seliger, rreth 400 km në veri të Moskës, si pjesë e ritualit të krishterë ortodoks që kujton pagëzimin e Jezu Krishtit.

Pasi hoqi pallton dhe çizmet, udhëheqësi 65-vjeçar i Rusisë hyri në minipishinën e improvizuar në brigjet e liqenit, bëri shenjën e kryqit dhe zhyti kokën në ujin e akullt. Temperatura e ajrit ishte 6 gradë nën zero.

Ceremonia u zhvillua pasi Putin kishte përfunduar një udhëtim në Shën Pjetërburg dhe në rajonin e Leningradit, i pasuar ky edhe nga një vizitë në Manastirin e Shën Nilus Stolobenskyt.

Zhytja e shefit të Kremlinit përbën të parën herë që ai zhvishet pjesërisht në publik. Gushtin e vitit të kaluar, Putin u fotografua me bustin e zhveshur, por në atë rast ishte në varkën e vet duke peshkuar, e një foto e ngjashme e tij ishte shkrepur në 2009-n, ndërsa kalëronte në një vendpushim.

Ditën e “Ujit të bekuar”, besimtarët ortodoksë hidhen në lumenj apo liqene për të kremtuar pagëzimin e Jezuit në lumin Jordan nga Gjon pagëzori.

Putini, që në zgjedhjet e 18 marsit do të kërkojë një mandat tjetër presidencial, është rritur në regjimin komunist, i cili e ndrydhte besimin, megjithatë ai vet, që prej vendosjes në krye të shtetit është shfaqur si frekuentues i rregullt i ceremonive ortodokse ruse dhe i ka dhënë Kishës një zë më të fortë në shoqëri.

Top Channel