Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike thotë se forca që ai përfaqëson nuk ka dhënë asnjëherë miratimin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Edmond Spaho thotë se pretendimet nga mazhoranca janë të pavërteta.

“Po lexoj në lajme që Taulant Balla paska thënë që për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, ku kërkohet që për arrestimin e deputetëve, Prokuroria të paraqesë edhe provat që disponon, paska marrë edhe miratimin e Partisë Demokratike. Kjo është gënjeshtër fund e krye”, shkruan ai.

Spaho thotë se Partia Demokratike nuk ka bashkëpunuar, negociuar apo rënë dakord për këtë çështje me Partinë Socialiste dhe nuk do ta bëjë këtë gjë as në të ardhmen.

“Sepse ne nuk mund të pranojmë të shkelim Kushtetutën e vendit. Ky ndryshim është ide e Edi Ramës, që synon të mbrojë veten, hajdutët e tij në Qeveri dhe kriminelët që mban pas, nga drejtësia dhe zemërimi qytetar”, shkruan Spaho.

Top Channel