Një 57-vjeçar është kapur me 4 kilogramë e 476 gramë heroinë në pikën kufitare të Muriqanit.

Shërbimet e Policisë Kufitare në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve të forta narkotik, kanë ushtruar kontroll në një automjet në pikën dalëse drejt Malit të Zi.

E në vijën e dytë të kontrollit, në automjetin tip “Renault” me targë AA 320 LY, me drejtues shtetasin Petraq Greku u konstatua se në gomat e makinës, në brendësi të disqeve ishte fshehur lëndë narkotike.

Ajo rezultoi 4 kilogramë e 476. 6 gramë heroinë, sasia më e madhe e këtij lloji e kapur këtë vit nga Policia Shqiptare.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin Petraq Greku, 57 vjeç, banues në Tiranë i cili udhëtonte drejt Italisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”

Top Channel