Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ndodhet në Shkup të Maqedonisë për një vizitë zyrtare, ku është takuar me krerët më të lartë të shtetit maqedonas, si dhe kryetarët e partive parlamentare.

Stoltenberg, siç bëjnë të ditur mediet e vendit fqinj, do të flasë mbi punën e realizuar deri më tani nga qeveria e re mbi procesin reformues në rrugën e integrimit euroatlantik të vendit, si dhe do të japë udhëzime sesi duhet të ecet përpara drejt NATO-s.

I pari që ka pritur Sekretarin e përgjithshëm të aleancës atlantiko-veriore ka qenë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, e më pas kreu i shtetit, presidenti Gjorge Ivanov.

Në takimin me kryediplomatin maqedonas, Stoltenberg ka konfirmuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe ka theksuar përshtypjet pozitive nga zhvillimi demokratik i vendit, duke shprehur mbështetjen për proceset demokratike të qeverisë.

Ministri Dimitrov theksoi se takimi me Stoltenberg ka rëndësi thelbësore për Maqedoninë dhe paraqet inkurajim të fuqishëm për pritshmëritë e Maqedonisë, se viti 2018 do të jetë historik për vendin dhe rajonin. Dimitrov pret një përfundim pozitiv të Samitit të NATO-s në korrik të këtij viti. Sipas tij, “anëtarësimi në NATO për Republikën e Maqedonisë nënkupton stabilitet për vendin dhe rajonin në tërësi”.

Ndërsa në takimin me Ivanovin është diskutuar veç integrimit euroatlantik edhe për reformat në Mbrojtje dhe Siguri, në pajtueshmëri me standardet e NATO-s, por edhe për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit me aleancën atlantiko-veriore.

Pas tyre, Stoltenberg është takuar edhe me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e më pas ka mbajtur një fjalim në Kuvendin maqedonas. Stoltenberg pritet të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev, pas orës 15.

Top Channel