Meta me ambasadorët: Jetike për rajonin, një agjendë gjithëpërfshirëse

18/01/2018 21:00

Presidenti Ilir Meta deklaroi gjatë një pritjeje me ambasadorët e huaj në Tiranë se Shqipëria pret që në 6 muajt e ardhshëm të çelë negociatat e anëtarësimit me BE.

“Është me rëndësi jetike për Shqipërinë dhe rajonin tonë të ndërtohet një agjendë gjithëpërfshirëse dhe në afate inkurajuese anëtarësimi në BE”, tha Meta.

Meta u ndal edhe te Kosova kur tha se qytetarët e saj meritojnë sikurse i gjithë rajoni lëvizjen e lirë me besimin se autoritetet e atjeshme do ndërmarrin hapat e duhura për kushtet që duhen përmbushur. Presidenti u ndal edhe tek vrasja e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

“Vrasja barbare dy ditë më parë e politikanit serb Oliver Ivanoviç, është një atentat ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në Kosovë dhe rajonin tonë. Zbardhja e menjëhershme e këtij krimi është e domosdoshme dhe urgjente jo vetëm për ndëshkimin e autoreve, por edhe për të paralizuar çdo skenar destabilizues”, u shpreh Presidenti Ilir Meta.

Meta vlerësoi edhe miratimin e ligjit për gjuhët në Maqedoni, edhe pse ai nuk u dekretua nga Presidenti Ivanov, por që do të rikthehet për votim në Parlament dhe do të hyjë në fuqi automatikisht.

Top Channel