Klajdi Gjeçi u arrestua për të disatën herë nga policia e Tiranës.

31-vjeçari një eksponent i njohur i botës së krimit në kryeqytet, këtë herë akuzohet si autor i vendosjes së eskplozivit në automjetin e administratorit të pikës së inerteve Ndok Rajta, më 30 nëntor të vitit të kaluar në zonën e Liqenit të Thatë.

Burime nga policia bëjnë me dije se Gjeçi dhe Rajta kanë patur një konflikt, pasi administratori i pikës së inerteve më parë kishte bashkëpunuar me firmën e babait të 31-vjeçait dhe i detyrohej një shumë të konsiderueshme parash. Gjithashtu Klajdi Gjeçi ishte i shpallur në kërkim për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Po ashtu ai rezulton i dënuar më parë për shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. 31-vjeçari njihet edhe si pjestar i bandës së Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dyshuar edhe për vendosjen e tritolit në banesën e ish zv-drejtorit të policisë së Tiranës Dorian Muça në vitin 2011.

Një vit më vonë ai u arrestua pasi policia i gjeti një pistoletë në banesë por u lirua nga gjykata. Në 2015 Gjeçi akuzohet për plagosje me dashje por sërish i shpëton drejtësisë ndërsa në të njëjtin vit ai dyshohet se u mor peng për disa orë nga 3 persona, ngjarje që u mohua dhe nuk u denoncua nga ky i fundit.

Top Channel