Williams, Mansell nuk i druhet moseksperiencës së pilotëve

17/01/2018 16:31

Williamsi mund të ketë sërish sukses në botërorin e këtij viti në Formulën 1 me Lance Stroll dhe Sergey Sirotkin, kjo sepse moseksperienca e pilotëve nuk përbën më një handikap në këtë sport, thotë kampioni i botës i vitit 1992, Nigel Mansell.

Sirotkin dhe Stroll janë dyshja më e re e pilotëve në vijën e nisjes së Formulës 1, me një moshë të përbashkët prej 41 vitesh, që është 3 vite më shumë sesa ajo e pilotit të Ferrarit, Kimi Raikkonen.

Williams nënshkroi me Robert Kubicën si pilot i tretë dhe kolaudator, me synimin për ta shfrytëzuar eksperiencën e tij në mbështetje të pilotëve të rinj dhe për të zhvilluar më tej njëvendëshet e tyre.

Mansell tha se, ndërsa pasja e pilotëve pa eksperiencë në të kaluarën mund të rezultonte një sfidë më vete, Formula 1 e kohëve moderne e bën më të lehtë të garosh, e kësisoj e kthen këtë çështje në më pak sesa një problem.

“Në vitet e kaluara, pa ndihmën e kompjuterave do të isha i shqetësuar për dy pilotët e rinj në skuderinë time”, thotë Mansell. “Megjithatë ky sot nuk është rasti për t’u shqetësuar, duke parë mbështetjen e shumë inxhinjerëve dhe informacioneve të bollshme. Një makinë e Formulës 1, derisa t’i dorëzohet një piloti në një moment të caktuar, thuajse ecën vet deri në një shpejtësi të caktuar. Kështu që ata do të kenë një mbështetje të jashtëzakonshme. Shpresoj që nëse do të kemi një makinë të mirë, atëherë do të kemi mundësi që në disa gara ata të shkëlqejnë dhe nuk besoj se do të na zhgënjejnë”.

Top Channel